Secondary Adv

BB: Ekonomia e Kosovës u ngadalësua në 3.6 për qind gjatë këtij viti

Ekonomia e Kosovës po përballet me ngadalësim të ndjeshëm, sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore, që paralajmëron për rreziqe në investime dhe rritje të inflacionit gjatë vitit 2025.

Ekonomia e Kosovës hyn në fazë ngadalësimi të dukshëm

Banka Botërore ka dhënë një vlerësim të zymtë për ekonominë e Kosovës, duke theksuar se vendi ka hyrë në një fazë ngadalësimi të ndjeshëm. Sipas të dhënave, rritja ekonomike gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 ishte vetëm 3.6 për qind – shumë më e ulët krahasuar me pritjet e mëparshme dhe performancën e vitit 2024.

 

Në raportin për Ballkanin Perëndimor, theksohet se pas një rritjeje prej 4.4 për qind në vitin 2024, ekonomia e Kosovës është ngadalësuar për shkak të uljes së konsumit të familjeve dhe dobësimit të kërkesës së jashtme për mallra dhe shërbime. Njëkohësisht, inflacioni është rikthyer si rezultat i çmimeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve, duke ndikuar negativisht në të ardhurat reale të disponueshme.

 

Vonesat politike dhe ndikimi në investime

Raporti paralajmëron se vonesat e zgjatura në formimin e një qeverie të re mund të ndikojnë negativisht në investime dhe të ngadalësojnë përparimin në reformat strukturore.

“Vonesat në formimin e një qeverie të re mund të ngadalësojnë zbatimin e agjendës së reformave strukturore dhe të vonojnë aksesin në financim të jashtëm, përfshirë Planin e ri të Rritjes së BE-së”, thuhet në raport.

 

Paga, punësim dhe investime

Pagat reale u rritën me 10.3 për qind gjatë vitit 2024, të mbështetura nga rritja e pagës minimale, ndërsa punësimi formal u zgjerua në mënyrë modeste me vetëm 1.4 për qind në gjysmën e parë të vitit 2025.

Edhe investimet kanë treguar përmirësim, me formimin bruto të kapitalit që u rrit me 13.6 për qind, duke nxitur aktivitetin në ndërtimtari dhe industri përpunuese. Sektori i shërbimeve financiare gjithashtu u zgjerua, përkrah rritjes së kërkesës së brendshme.

 

Tregtia e jashtme dhe remitancat

Kërkesa e fortë e brendshme ka nxitur rritjen e importeve me 14.5 për qind në pesë muajt e parë të vitit 2025, duke tejkaluar një rritje prej 12 për qind të eksporteve. Dërgesat nga diaspora dhe investimet e huaja direkte dhanë mbështetje të kufizuar, me rritje përkatësisht prej 3.5 për qind dhe 3.6 për qind deri në maj.

 

Inflacioni dhe qëndrueshmëria fiskale

“Inflacioni i konsumatorit arriti në 4.3 për qind në korrik 2025, duke e çuar mesataren për periudhën janar–korrik në 3 për qind. Edhe inflacioni bazë u rrit gjatë kësaj periudhe, duke arritur një mesatare prej 1.5 për qind deri në korrik 2025”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Rreziqet fiskale dhe ato në sektorin financiar mbeten të kufizuara, ndërsa pozicioni fiskal vazhdon të mbështetet nga taksat e forta dhe ekzekutimi më i lartë i investimeve publike. Deficiti fiskal pritet të mbetet rreth 1 për qind të PBB-së gjatë viteve 2026–2027.

 

Sfida strukturore dhe emigrimi

Raporti vë në dukje se emigrimi i vazhdueshëm mbetet një pengesë për rritjen afatgjatë të ekonomisë së Kosovës. Potenciali i pashfrytëzuar vendas, veçanërisht përfshirja e grave në tregun e punës, shihet si mundësi e rëndësishme për zhvillim të qëndrueshëm nëse shfrytëzohet në mënyrë efektive. /Monitor(https://monitor.al/banka-boterore-ekonomia-e-kosoves-u-ngadalesua-ne-3-6-per-qind-gjate-ketij-viti/)


Më të lexuarat